“Vullnetarët nuk paguhen, jo sepse ata janë të pavlerë, por sepse janë të paçmuar” Harry Anderson
Vullnetarizmi është burim i fuqizimit të komunitetit, qëndrueshmërisë dhe kohezionit social. Ai sjell ndryshime pozitive sociale, duke inkurajuar solidaritetin, barazinë dhe pjesëmarrjen qytetare. Vullnetarizmi ësshtë një ndër asetet më jetike në shoqëri.
Vullnetarizmi sjell një sërë përfitimesh individuale, ku mund të përmendim: rritjen personale, zhvillimin e aftësive për jetën e individëve që angazhohen në aktivitete të vullnetarizmit, përfitimin e një eksperience praktike për zhvillimin e tyre profesional, përmirësimi i mundësive për karrierën, reflektimi rreth aftësive në tregun e punës, krijimi i rrjetëzimit, përmirësimi i jetës në komunitet, krijimi dhe zhvillimi i tolerancës, solidaritetit dhe reciprocitetit, përmes aktiviteteve vullnetare.
Sipas legjislacionit në fuqi Ligji Nr. 45/2016 “Për Vullnetarizmin”, vullnetarizmi është investimi me vullnet të lirë i kohës, njohurive dhe aftësive për kryerjen e aktiviteteve ose shërbimeve nga vullnetari, në dobi të ofruesit dhe/apo përfituesit të vullnetarizmit. Vullnetarizmi kryhet pa pagesë, pa kompensim ose ndonjë përfitim tjetër material.
Vlerat e vullnetarizmit dhe shprehja e tij janë gjithashtu jashtëzakonisht të rëndësishme në forcimin e kapaciteteve për grupet me më shumë nevojë, që të arrijnë të sigurojnë jetesën dhe për të rritur mirëqenien fizike, ekonomike, shpirtërore dhe sociale. Për më tepër, vullnetarizmi mund të zvogëlojë përjashtimin social, i cili shpesh është rezultat i varfërisë, margjinalizimit dhe formave e tjera të pabarazisë.
Qëllimi kryesor i projektit VullnetarizmiPikëAL është krijimi i një mjedisi mundësues shumë dimensional ku vullnetarizmi inkurajohet, mbështetet, njihet si mekanizëm kyç për nxitjen e qytetarise aktive, solidaritetit dhe kohezionit social në Shqipëri. Projekti përmirëson infrastrukturën egzistente ligjore dhe sociale me ndërhyrje sistemike nga poshtë-lart dhe propozon një sistem funksional me qasje inovative dhe impakt të drejtëpërdrejtë për vullnetarizëm gjithëpërfshirës, cilësor dhe me standarde për të gjithë aktorët e interesuar.
Të drejtat e vullnetarit
- Të njihet me përshkrimin e vullnetarizmit që do të kryejë;
- Të informohet për kushtet e punës dhe rreziqet që lidhen me punën që do të kryejë;
- Të kërkojë marrjen e masave të sigurisë teknike gjatë kryerjes së punës;
- Të informohet nga ofruesi i vullnetarizmit për rregullat e përgjithshme të punës dhe rregullat e etikës së vullnetarit;
- Të trajnohet, nëse është e nevojshme, në përputhje me natyrën e punës që do të kryejë;
- Të pajiset me librezë vullnetari;
- Të përfitojë pushime ditore në kohëzgjatjen e vullnetarizmit në rast se ka shkaqe të arsyeshme dhe të provueshme, si sëmundje, etj.
- Të përfitojë pushime midis orëve të kryerjes së vullnetarizmit, në varësi të llojit të vullnetarizmit që kryen;
- Të kërkojë mbrojtjen e të dhënave personale;
Përgjegjësitë e vullnetarit:
- Të oforjë shërbimin personalisht dhe drejt-përdrejt, në përputhje me standardet dhe etikën profesionale, ku ofrimi i shërbimeve kërkon aftësitë profesionale;
- Të marrë pjesë në trajnime për të përmirësuar cilësinë e punës;
- Të respektojë integritetin, misionin dhe objektivat e ofruesit të vullnetarizmit;
- Të ruaje sekretin profesional, me të cilin njihet për shkak të natyrës së punës që kryen;
- Të informojë me shkrim ofruesin e vullnetarizmit për çdo rrezik ose dëm real që mund t’i vijë atij vetë, ofruesit apo palëve të treta, të cilin e konstaton gjatë kryerjes së vullnetarizmit;
- Të informojë paraprakisht ofruesin e vullnetarizmit në rast sëmundjeje ose gjendjeje tjetër që e pengon atë në kryerjen e vullnetarizmit;
Përgjegjësitë e ofruesit të vullnetarizmit:
- Të sigurojë kushtet dhe mjetet e nevojshme për kryerjen e vullnetarizmit;
- Të lëshojë një vërtetim me shkrim me të dhëna për vullnetarizmin e kryer nga vullnetari;
- Të plotësojë librezën e vullnetarit;
- Të ruajë konfidencialitetin e të dhënave personale të vullnetarit;
- T’i sigurojë vullnetarit pagesën e shpenzimeve të nevojshme për kryerjen e vullnetarizmit, si shpenzime transporti, shpenzime trajnimi, si dhe shpenzime ushqimi.